Lautaro zbulon ëndrrën e madhe me Interin
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Lautaro zbulon ëndrrën e madhe me Interin
Sulmuesi dhe kapiteni i Interit, Lautaro Martínez, ka folur për ambiciet e tij më të mëdha në futboll gjatë një sesioni virtual me tifozët të organizuar nga theresidency.io. Argjentinasi theksoi se trofeu që dëshiron më shumë ta fitojë në karrierën e tij është UEFA Champions League.
“Fitimi i Kupës së Botës është gjëja më e rëndësishme në futboll, por ëndrra që dua ende ta arrij është fitimi i Ligës së Kampionëve”, ka deklaruar ai.
Martínez foli edhe për rrugëtimin e tij te Interi, duke theksuar se nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të ngjitej kaq lart në listën e golashënuesve të klubit. Sulmuesi është tashmë ndër golashënuesit më të mirë në historinë e klubit dhe e përshkroi si moment të veçantë herën e parë kur mbajti shiritin e kapitenit.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta arrija këtë. Por me punë dhe sakrificë gjithçka është e mundur. Interi është pasion. Të mbaja shiritin e kapitenit për herë të parë ishte një emocion i papërshkrueshëm, ashtu si çdo gol që shënoj në San Siro”, u shpreh ai.
Argjentinasi falënderoi edhe tifozët e Interit për mbështetjen që nga dita e parë e transferimit të tij nga Racing Club. “Që nga dita e parë u ndjeva i dashur nga njerëzit këtu. Ndihem krenar për këtë”, tha ai.
Martínez pranoi se rruga e tij nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, duke përmendur disa dëmtime që kanë ndikuar në karrierën e tij, përfshirë një dëmtim në metatars gjatë kohës te Racing dhe një problem në kyçin e këmbës gjatë triumfit të FIFA World Cup me Argjentinën. Aktualisht ai është jashtë fushave për shkak të një dëmtimi muskulor, por synon të rikthehet sa më shpejt dhe të vazhdojë të shkruajë historinë me Interin.
KosovaPress