Ministria e Punëve të Brendshme do të lansojë sot hapjen e fushatës kundër Trafikimit me Njerëz, në ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Njerëz.
Hapjen e kësaj ceremonie do ta bëjë Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme dhe njëherit Koordinator Kombëtar Kundër Trafikimit me Qenieve Njerëzore.
Kjo ditë shërben për të sjellë në vëmendje të vendimarrësve, shoqërisë civile, agjensive apo institucioneve të ndryshme dukurinë e trafikimit të personave, dukuri kjo që ka prekur mbarë botën. Rreth 27 milionë persona (gra, bura dhe fëmijë) trafikohen në vit.
Trafikimi i personave nënkupton “rekrutimin, transportimin, transferimin, fshehjen ose pritjen e personave nëpërmjet kërcënimit, përdorimit të forcës e formave të tjera të shtrëngimit, mashtrimit, marrjes me forcë, dredhisë ose abuzimit të pushtetit ose të pozitës vulnerabël ose dhënien apo marrjen e pagesave ose përfitimeve për të arritur pëlqimin e një personi që kontrollon një person tjetër, për qëllime shfrytëzimi.
Në Bashkimin Evropian, forma më e zakonshme e trafikimit të raportuar është ajo e shfrytëzimit seksual, një formë e dhunës me bazë gjinore që prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat që përfaqësojnë 95% të viktimave të regjistruara.
Sipas raportit të fundit botëror për trafikimin e qenieve njerëzore, shumë vende kanë raportuar një rritje të viktimave të trafikimit në vitet e fundit, si për shkak të përmirësimit të procedurave për identifikimin e viktimave dhe trafikantëve, si dhe për një rritje të mundshme të incidencës.