Emisari evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.
Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, Lajçak e ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve vitin e kaluar, por marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihet dhe se palët duhet ta kuptojnë që përparimi në dialog është thellësisht i lidhur me rrugën e tyre drejt BE-së.
I pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, edhe nëse duhet të përfshihet njohja reciproke, ai ka thënë se u takon palëve të vendosin në atë aspekt. Ai ka folur edhe për sulmin në Banjskë dhe akuzat që i janë bërë nga zyrtarë të Kosovës për qasje të padrejtë ndaj vendit.
“Dialogu është vendimtar për Kosovën dhe Serbinë, nëse e kanë seriozisht për aspiratat e tyre evropiane, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë që para se të shqyrtohen seriozisht për pranim [në BE], ata duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kështu që nuk ka asnjë rrugë përreth kësaj. Kjo është një gjë. Së dyti, Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i këtij procesi, por procesi është nën pronësi të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë. Ne po e bëjmë më të mirën tonë për t’i ndihmuar ato në normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të them që shpejtësia e procesit dhe rezultati i procesit nuk varen nga Bashkimi Evropian, por nga palët. Por, natyrisht, arritja më e rëndësishme është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, që u arrit dhe për të cilën u arrit pajtim vitin e kaluar në Ohër. Me këtë marrëveshje, nuk ka më nevojë për negociata, por për zbatim”, ka thënë Lajçak.“Normalizimi nënkupton fitim të ndërsjellë. Normalizimi nënkupton që marrëveshja të mund t'i prezantohet publikut dhe parlamenteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Për aq kohë sa jetoni në iluzione se kjo është një fitore për njërën dhe një humbje për tjetrën, nuk do të ketë përparim. Por, nëse nuk do të ketë përparim drejt normalizimit, nuk do të ketë përparim drejt integrimit evropian. Gjithçka tjetër është një iluzion dhe lajthitje”, u shpreh diplomati sllovak.