Bomberi norvegjez, Erling Haaland është votuar si lojtari më i mirë i muajit gusht në Premier Ligë.
Haaland e fiton çmimin në fjalë pas një muaji të parë historik me Manchester Cityn në kampionatin anglez, përcjell KosovaPress.
Nëntë golat e tij në pesë paraqitje ishin rekordi më i mirë në histori të Premier Ligës, ku Haaland theu rekordin prej tetë golave që mbahej nga Mick Quinn dhe Sergio Aguero.
22 vjeçari po ashtu është bërë lojtari i gjashtë që shënon hat-trick në dy paraqitje radhazi në kampionatin anglez, duke shënuar nga tre gola kundër Crystal Palace dhe Nottingham Forest.
Bomberi norvegjez kryesoi listën e cila përfshinte lojtarët si Pascal Gross, Gabriel Jesus, Aleksandar Mitrovic, Martin Odegaard, Nick Pope, Rodrigo dhe Wilfried Zaha.
Haaland fitoi pasi që votat e publikut në faqen zyrtare të “EA Sports” u kombinuan me ato të panelit të ekspertëve të futbollit.