Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë tre anëtarët e Bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar, pasi asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë votat e mjaftueshme.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se andaj konkursi duhet të përsëritet për pozitat vakante për Bordin e RTK-së.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shqyrtuar si pjesë të vazhdimit të seancës së djeshme të jashtëzakonshme, me pikën e vetme të rendit të ditës - shqyrtimi i dytë i Projekt kodit doganor dhe akcizave, për të cilin nuk kishte kuorum pasi të pranishëm ishin 57 deputetë dhe mbeti që të diskutohet në një seancë të ardhshme.
Besnik Tahiri nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur kritika, duke thënë se ky ligj ka ardhur pa një konsultim paraprak dhe se ka pasur kërkesë prej faktorit ndërkombëtar që të mos bëhet kjo. /KosovaPress