Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor i cili ndër të tjera do të ofrojë edhe sigurimin shëndetësor pa asnjë kushtëzim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Votimi u bë me procedurë të përshpejtuar në seancën e së enjtes.
“Pas avokimit të vazhdueshëm nga QKRMT për ofrimin e shërbimeve shëndetësore pa pagesë për të mbijetuarit e dhunës seksuale, duke përfshirë takimet e vazhdueshme me ministritë përkatëse dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe letrave të shumta avokuese, sot, më 5 dhjetor 2024, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës u miratua Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku u aprovua edhe propozimi i QKRMT-së që viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë t’i ofrohet sigurim shëndetësor i paguar nga shteti pa asnjë kushtëzim”, ka shkruar drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti.
Më herët të enjten, KosovaPress ka publikuar rrëfime të të mbijetuarve të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilat tregojnë sfidat deri të arritja e sigurimit të shërbimeve shëndetësore.Deri tani, vetëm Zoran Vukotiq është dënuar për dhunim seksual gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Historitë e tyre nuk dihen sepse të mbijetuarit ende i druhen stigmës e paragjykimit, dhe heshtin.