Kuvendi miraton disa pika të seancave të kaluara, PDK e AAK nuk marrin pjesë në votim
Lexohet për: 2 min.
kuvendi seanca 2
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në Kuvendin e Kosovës janë votuar disa pika të papërfunduara nga seancat e kaluara. Por, njëra projekt-rezolutë e propozua nga LDK u hoq nga rendi i ditës, ndërsa ajo e AAK-së nuk mori votat e mjaftueshme.

E në votimin e pikave që u miratuan nuk mori pjesë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar në lexim të dytë plotësim-ndryshimi i Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje. Ky projektligj u përkrah edhe nga LDK.

Kurse, 62 deputetë ia dhanë mbështetjen rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të performancës menaxhimi i projektit “Bashkimi i qytetit të Ferizajt”.

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare ka votuar Hamit Bashollin dhe Selvete Gagicën  anëtarë të  Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Këta dy emra janë propozuara nga Qeveria e Kosovës, dhe në Parlamentin e Kosovës morën 63 vota.

Mandati i këtyre dy anëtarëve është 3 vjeçar. 

Ndërsa, Kuvendi nuk e ka votuar Projekt-rezolutën nga interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për çështjen: “Rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik”.

Kjo projekt-rezolutë e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk mori mbështetjen e 58 ligjvënësve të Kosovës që ishin nga mazhoranca, derisa  14 votuan pro, e 4 ishin abstenime.

E shqyrtimi i propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e propozuar nga 8 deputetë të Kuvendit të Kosovës është shtyrë për sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Aktualisht, në seancë po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së dy anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024