Kuvendi i Kosovës të enjten, më 24 tetor do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nënshkrimin e 43 deputetëve për të diskutuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Iniciuesi i kësaj seance, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, thotë për KosovaPress se është e domosdoshme që Kuvendi të diskutojë skandalet në KEK dhe problemet e vazhdueshme në fushën e energjetikës.
Në anën tjetër, shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila thotë për KosovaPress se nuk kanë ndonjë informacion për kërkesë për seancë të jashtëzakonshme të opozitës, derisa nuk bëri të ditur nëse shumica parlamentare do të merr pjesë në seancën e nesërme.
Thirrja e seancave të jashtëzakonshme nga opozita për monitoruesit e punës së Kuvendit po konsiderohet normale dhe e dobishme për jetën parlamentare, derisa kritikohet bojkoti i mazhorancës.Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD), Naim Jakaj, thotë për KosovaPress se është në interes publik të mbahen seancat e jashtëzakonshme dhe të diskutohen çështjet e ngritura nga opozita.
Ai kritikon shumicën parlamentare se me bojkot të seancave të jashtëzakonshme po cenon përfaqësimin demokratik, besimin e qytetarëve, detyrave dhe përgjegjësive si deputetë të Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, nëse mazhoranca bojkoton edhe seancën e nesërme dëmton integritetin e Kuvendit.
Partitë opozitare kanë thirrur tri seanca të jashtëzakonshme në dy javët e fundit, por që janë bojkotuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e koalicionit qeverisës.