Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot projektrezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Projektrezoluta antikorrupsion u miratua me 76 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim.Rezoluta konsideron domodoshmëri jetike për të ardhmen e vendit thellimin e luftës ndaj korrupsionit e fenomenit të pandëshkueshmërisë në mënyrë kapilare në të gjitha nivelet.
Ajo e vendos luftën antikorrupsion në fokus të shoqërisë shqiptare dhe të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes një përpjekje të bashkërenduar nga Kuvendi, zbatimit të objektivave të Strategjisë kombëtare antikorrupsion dhe të shoqëruar me rekomandime masash konkrete ligjore, institucionale dhe administrative veçanërisht për sektorët më vulnerabël ndaj korrupsionit (kadastra dhe të drejtat pronësore, taksat, doganat, arsimi, shëndetësia, përdorimi i fondeve publike, prokurimet publike, infrastruktura publike, etj), në të gjithë territorin e vendit.
Ndër të tjera rezoluta synon të thellojë më tej përpjekjet për forcimin e zbatimit të ligjit, si dhe të garantojë pakthyeshmërinë e Reformës në Drejtësi, konsolidimin e saj të mëtejshëm dhe rritjen e eficencës së sistemit të drejtësisë në pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.