Kuvendi i Gjilanit refuzon faljen e taksës së vitit 2023 për bizneset
Lexohet për: 2 min.
seanca KKGJ
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Kuvendi i Komunës së Gjilanit sot në vazhdim të seancës së nëntë, pasi ka shqyrtuar kërkesën për lirimin e bizneseve nga taksa komunale për 2023, me shumicë votash e ka refuzuar, megjithëse grupimet më të mëdha politike i kanë ndarë votat në këtë pikë.

Propozimi nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, u vlerësua i papranueshëm nga grupi i këshilltarëve të LDK-së, me arsyetim se tani kanë ndryshuar rrethanat dhe kushtet e të bërit biznes në krahasim me vitet 2020/2021, kur ishin falur këto taksa shkaku i pandemisë COVID dhe nuk është e nevojshme falja e taksës.

Edhe grupi i këshilltarëve të PDK-së ishte i mendimit se nuk duhet të falen taksat për të gjitha bizneset njësoj, duke sugjeruar që taksat t`u falen vetëm bizneseve të vogla dhe të mesme.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, me një përjashtim, i dha përkrahje propozimit të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, pasi kjo taksë ishte falur edhe gjatë viteve 2020/2021, ndërkohë që arkëtimi i saj për 2023 nuk është planifikuar. 

Vota për miratim nuk mori as propozimi për përcaktimin e vlerës së qirasë dhe bonuseve të banimit në dy programe sociale. Ndërkaq, Kuvendi miratoi planin lokal të veprimit për barazi gjinore 2024-2026, planin e punës të ekipit për të Drejtat e fëmijëve 2024-2026, dhe planin e punës të Kuvendit për 2024.

Për sa i përket mos regjistrimit të 60 nxënësve në shkollën e Mjekësisë, 25 prej të cilëve kanë mbetur pa u sistemuar, nënkryetarja e Komunës Leonora Morina-Bunjaku njoftoi se hapjen e paraleleve të reja në këtë shkollë, jashtë afatit, e kanë kundërshtuar me vite të tëra dhe se ky ndryshim ka filluar pikërisht në këtë vit.

“Shkolla e Mjekësisë në komunën e Gjilanit, duke e pasur parasysh që është regjionale, nuk ka kushte për shtimin e paraleleve të reja, por në të ardhmen, në objektin e ri të shkollës ndoshta mund ta planifikojmë këtë”, ka thënë ajo.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024