Kushtetuesja merr vendim për Ligjin për KPMSHCK
Lexohet për: 3 min.
Gjykata Kushtetuese
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim lidhur me kërkesat e deputetit të PDK-së Abelard Tahiri dhe 10 deputetëve të tjerë, si dhe të Besian Mustafës dhe 10 deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Gjykata ka vendosur që ligji t’i dërgohet presidentes për shpallje, pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11, të cilat janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe si të tilla janë shpallur të pavlefshme.

Gjykata ka vendosur që njëzëri të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe të konstatojë njëzëri, që nenet 2, 7 dhe 8 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme.

Gjykata me shtatë vota për dhe dy kundër ka vendosur që neni 6 i Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtin të pavlefshëm.

Po ashtu, gjykata ka vendosur njëzëri që nenet 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe të shpallë të njëjtat të pavlefshme; dhe njëzëri, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, të shpallë që Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit  për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, t’i dërgohet presidentes për dekretim sipas modaliteteve të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës dhe pa nenet 2, 6, 7, 8, 9, 10 dhe 11 të Ligjit të kontestuar.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar ndryshon dhe plotëson Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në katër aspekte kryesore.

Së pari, ndryshon përbërjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga 7 në 15 anëtarë, duke ndryshuar dhe/ose plotësuar edhe aspekte që ndërlidhen me kriteret dhe procedurën për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së dyti, eliminon dispozitën aktuale ligjore që garanton imunitetin në vendimmarrje të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Së treti, zhvesh Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës nga kompetenca për të vendosur lidhur me ankesat e nëpunësve civilë dhe/ose kandidatëve për pranim në shërbimin civil në pozita të larta drejtuese kundër vendimeve të Qeverisë, përkatësisht pamundëson ankesat e të njëjtëve në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ndaj vendimeve të Qeverisë, por duke u garantuar të drejtën e ankesës në gjykatën kompetente në konflikt administrativ.

Ndërsa, së katërti, për dallim nga ligji në fuqi për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, statusin e vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës si të ekzekutueshme, e kushtëzon ose në mungesën e ankesës në gjykatën kompetente ose në rast të ankesës, në nxjerrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë nga gjykata kompetente. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024