Gjykata Kushtetuese ka dalë me vendim lidhur me kërkesën e deputetëve të LDK’së për vlerësim të kushtetueshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit, Kimete Gashi. Shkarkimi i Gashit ishte bërë më 13 korrik të vitit të kaluar, me propozim të Qeverisë së Kosovës, lidhur me tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për insulina.
Kushtetuesja ka gjetur se vendimi nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.
Tutje, në njoftim thuhet se “Një precedent i tillë, bazuar në të cilin anëtarët e OSHP-së do të mund të shkarkoheshin për vendimmarrjen e tyre, do të cenonte thellë pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe vet qëllimin e ekzistencës së saj, sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme”.
Ndryshe, në Komisionin për Buxhet nuk kishte kaluar rekomandimi që Kimete Gashi të shkarkohet nga pozita e anëtares së bordit të OSHP-së. Më 10 maj 2023, Qeveria e Kosovës i kishte propozuar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e Gashit për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina. Kuvendi e kishte shkarkuar Gashin në seancën e 13 korrikut, me 58 vota pro.