Gjykata Kushtetuese konstaton si të pabazuar kërkesën e parashtruesve nga ish-dhjetë deputetët në lidhje me shkeljet e pretenduara për shkarkimin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës më 2021 kishte shkarkuar Bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH) me këtë përbërje: Arsim Berisha kryesues, Gëzim Qerimi anëtar, Shkumbin Hyseni anëtar dhe Ilmi Ahmeti anëtar.
Kushtetuesja të premten publikoi aktgjykimin në rastin (KO 139/21), të parashtruar nga Fadil Nura dhe 9 deputetë tjerë, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 21 korrikut 2021, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
“Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesve të kërkesës, në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave individuale të anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, ishte e pabazuar për shkak se (i) Vendimi i kontestuar ishte bazuar në Rekomandimin e Komisionit përkatës i cili përmbante arsyet sipas së cilave propozohej shkarkimi i anëtarëve të Bordit; dhe se (ii) parashtruesit e kërkesës nuk e kishin dëshmuar se legjislacioni në fuqi e përjashton këtë kategori funksionarësh publik nga detyrimi për të kërkuar mbrojtje juridike në gjykatat e rregullta. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.