Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është e bindur se drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë, nuk krijon një mekanizëm të ri të pushtetit të tretë qeverisës që mund të rrezikojë shtetësinë apo kushtetutshmërinë e Kosovës. Megjithatë, ajo thotë se shqetësimet e krerëve të vendit janë në disa aspekte që mund të krijojnë dykuptimësi në zbatimi, andaj sipas saj, edhe qeveria ka adresuar komente tek ndërmjetësit e dialogut, por për të cilat ende s’ka një përgjigje.
Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, përmend mundësinë që drafti të pësojë ndryshime, prandaj shprehet më e rezervuar të komentojë në detaje, mirëpo nënvizon se aleatët e Kosovës, veçmas ShBA-ja, ka garantuar se nuk do të lejojnë krijimin një niveli të tretë qeverisës në Kosovë.
Shefja e deputetëve të LVV-së në Kuvend mirëpret publikim e draftit të Asociacionit dhe shpërndarjen e tij te partitë opozitare.
Kusari-Lila e sheh pozitive edhe shpalljen në kërkim të ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Në anën tjetër, Kusari-Lila mirëpret edhe kërkesën për nisje të peticionit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore.