Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas kthimit nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ka vizituar sot Klinikën e Stomatologjisë, ku është njohur për shërbimet e reja, të cilat janë fiksimi i protezave, oksiduli i azotit dhe implantologjia që kanë nisur në më pak se një vit.
Ai vlerësoi lart shërbimin cilësor e pritjet e shkurta të pacientëve, derisa stomatologët i falënderoi për punën e angazhimin e tyre.
“Mjekët, infermierët po bëjnë krejt çfarë munden dhe dinë. Profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre është i lartë dhe gjithashtu pamë, si në Qendrën Klinike Universitare të Stomatologjisë edhe këtu, rregull e disiplinë, por në të njëjtën kohë edhe pacientë, të cilët na treguan drejtpërsëdrejti që janë të kënaqur me shërbimet që marrin dhe me trajtimin që gëzojnë”, tha kryeministri Kurti.