Kryeministri Albin Kurti vizitoi sot Agjencinë për Regjistrimin të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ku në takim me drejtues të kësaj agjencie biseduan mbi rëndësinë e digjitalizimit të sa më shumë shërbimeve që kontribuojnë direkt në të bërit biznes, zhvillimin e industrisë dhe rritjen e produktivitetit të bizneseve.
Drejtoresha e ARBK-së Lebibe Haliti informoi kryeministrin Kurti për punën e deritanishme, lehtësimin e procedurave përmes digjitalizimit të procesit për kryerje të shërbimeve, planet për të ardhmen dhe sfidat e agjencisë.
Gjithashtu, u diskutua edhe për rolin që ARBK mund të luajë në raport me arsimin dual që tashmë është në vitin e dytë të zbatimit.
Ndryshe, ARBK është themeluar në vitin 2002 dhe aty janë të regjistruara mbi 106 mijë biznese.
Po ashtu, javën e kaluar, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Komunën e Mitrovicës Veriore përmes të cilit do të konsolidohet zyra e ARBK-së brenda kësaj komune ku mund të regjistrohen bizneset e reja.
Pas vizitës në ARBK, kryeministri Kurti u mirëprit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ku së bashku me ministren Rozeta Hajdari diskutuan mbi planet dhe prioritetet e kësaj ministrie për vitin 2024.