Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi sot një takim në Dublin me homologun e tij irlandez Leo Varadkar, me të cilin ka biseduar mbi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimi në ekonomi, tregti, teknologji dhe zhvillimet rajonale.
Duke u shprehur falënderues për mikpritjen dhe mbështetjen e zëshme dhe të vazhdueshme të Irlandës, Kurti e njoftoi homologun e tij irlandez me zhvillimet në vend, progresin e arritur deri më tani dhe ofertën që Kosova paraqet për investime të kompanive irlandeze, me theks në sektorin e teknologjisë.
Ai e falënderoi kryeministrin Varadkar për përkrahjen aktive ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Republika e Kosovës dhe Irlanda gëzojnë raporte të afërta partneriteti të ndërtuara mbi vlera dhe orientime të përbashkëta, u tha në takim.