Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë paradites qëndroi për vizitë te familja e poetit të njohur, Adem Gashi, i cili u nda nga jeta të martën e 16 janarit.
Në njoftimin e Zyrës së Kreministrit thuhet se kryeministri Kurti u shpreh se Adem Gashi, ishte “mik i popullit shqiptar, i vuajtjeve të shoqërisë tonë, i Kosovës së tij e tonë të dashur, dhe rrjedhimisht i secilit prej neve”.
Tutje kryeministri shtoi se të ndjerin do ta kujtojmë me respekt për punën, përkushtimin dhe gjurmët e thella që ka lënë te populli ynë, duke theksuar se veprat e tij janë ato që do të bëjnë përherë dritë për kontributin e dhënë për Kosovën e tij të dashur.
“Jemi borxhli, përgjegjës, që kontributin e tij ta vazhdojmë me sjelljen dhe veprimet tona të përgjegjshme në kuadër të idealeve të përbashkëta”, tha në fund kryeministri Kurti.