Kurti thotë se e ka prioritet nivelin lokal, komunat kundërshtojnë faljen e tatimit në pronë
Lexohet për: 3 min.
Komunat
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryetarët e komunave të Kosovës të hënën. Në takimin koordinues, kreu qeveritar, tha se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror.

Kjo, sipas tij, dëshmohet edhe me buxhetin 742 milionësh dedikuar komunave për vitin e ardhshëm, i cili tha se është 200 milionë euro më shumë se ish-qeveria e kaluar.

Mirëpo, komunat u ankuan karshi qeverisë për moszgjidhje të problemeve, derisa edhe listuan shtatë kërkesa për ekzekutivin.  

Kurti, i cili ishte i shoqëruar me disa nga ministrat nga kabineti qeveritar, tha se janë të angazhuar për t’iu ndihmuar nivelit lokal.

“Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin në vlerën e 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë për komuna gjatë kësaj qeverisjes, sesa asaj të mëparshme. Kjo i bie se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat që presin të konkretizohen përmes një bashkëpunimi të të gjithë neve”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), njëherësh kryetar i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se shumë shqetësime të nivelit lokal s’po gjejnë mbështetje nga qeveria.

Ai theksoi se kundërshtojnë bartjen e përgjegjësisë së faljes së tatimit në pronë te komunat, pasi sipas tij cenohen të hyrat vetanake nga të cilat varen në masë të madhe projektet kapitale në komuna.

Krahas kësaj, Aliu kërkoi të zhbllokohen të hyrat vetanake të komunave.

Derisa përmendi si kërkesë edhe rikthimin e garantit të katërt, pronat komunale që menaxhohen nga AKP-ja dhe barazinë financiare për komunat që të ketë ndarje të drejtë dhe barabartë.

Kjo është mbledhja e katërt e Kurtit me kryetarët e komunave të Kosovës, derisa morën pjesë edhe kryetarët e sapo zgjedhur në katër komunat veriore.

Ndërkaq, kryeministri Kurti para kryetarëve të komunave përmendi edhe kandidimin e Kosovës për lojërat mesdhetare 2030, ku tha se koncepti i organizimit të tyre parasheh shtrirje në tërë territorin e Kosovës, veçmas në shtatë komunat më të mëdha të vendit.

Ditëve në vazhdim, ekipi koordinues i kandidaturës së Kosovës, do t’i kontaktojë dhe do t’i informojë më shumë kryetarët e komunave për konceptin dhe për detajet e tjera të ndërlidhura me projektin./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024