Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje pesë shteteve mos njohëse në Bashkimin Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Kurti ka thënë se mosnjohja përbën cenim për sigurinë e kontinentit evropian. Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kurti ka thënë se do të përshpejtojnë procesin për aplikim në Bashkimin Evropian dhe Këshill të Evropës.
“U bëjmë thirrje pesë shteteve mos njohëse brenda Bashkimit Evropian, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros, që të njohin këtë realitet e të vërtetë duke njohur urgjentisht pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i preteksteve false dhe analogjive të paqëndrueshëm për të nxitur ndarje e konflikte në Evropë. Pavarësia e Kosovës është një rast që merr parasysh padrejtësinë shekullore, okupimin, luftën dhe gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë, është në përputhje me të drejtën e popullit tonë për vetëvendosje dhe siç është vulosur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Në dritën e këtij agresioni duhet kuptuar se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës përben cenim për sigurinë e kontinentit evropian”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se Kosova do të kërkojë që sa më parë të bëhet anëtare e NATO-s.
Derisa ka dënuar sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës, kryeministri i Kosovës ka thënë se i dënojnë edhe veprimet e Serbisë, e cila nuk i ka vënë sanksione Rusisë.
“Ne e dënojmë edhe mos dënimin e agresionit rus nga fqinji ynë verior Serbia dhe mos vënien e sanksioneve. Pozicioni edhe-edhe duke tentuar të luajë qendrën e dyfishtë edhe më Moskën edhe me Brukselin, edhe me Uashingtonin edhe me Pekinin është pozicion edhe me autokracinë edhe me demokracinë. Por ndaj agresionit të Rusisë e pushtimit të Ukrainës nuk mund të ketë neutralitet për vende kandidate për anëtarësim në Bashkim Evropian kur i gjithë Bashkimi Evropian e dënon dhe sanksionon fuqishëm. Pra qartazi dhe të vendosur, secili duhet ta dënojë invazionin rus dhe agresionin ushtarak”, ka thënë Kurti.