Derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nga Greqia ka thënë se janë dakorduar se nuk do të ketë njohje për Kosovën nga Greqia dhe Ukraina, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ku kanë diskutuar kryesisht për raportet ekonomike në mes dy vendeve.
Fillimisht, kryeministri Kurti i uroi homologut të tij grek, Mitsotakis për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.
Ai e falënderoi kryeministrin Mitsotakis për ftesën dhe për darkën e mbrëmshme në të cilën ishin të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor si dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
“Biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Kurti tha që tashmë Kosova e Serbia kanë marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime. Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm. Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9% dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë. Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve, si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative.
Kryeministri Kurti e ftoi kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.