Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryeministri Albin Kurti takoi gratë e Krushës së Vogël, të cilat Qeveria i ka mbështetur me masën për fuqizim ekonomik dhe me të cilat ka diskutuar për arritjet dhe planet e ardhshme të këtyre nismave të vetëpunësimit.
Gjatë kësaj vizite, Kurti shprehu mirënjohje për mikpritjen dhe takimin me 16 gra ndërmarrëse të këtij fshati, të cilat po vazhdojnë punën për rritjen e mirëqenies familjare. Ai ritheksoi se familjet e të zhdukurve janë lart mes prioriteteve e në përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës.
Të drejtë aplikimi kanë personat fizikë, gra apo vajza që gëzojnë pension për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, apo një anëtare (grua/vajzë) nga familja e ngushtë e personave që gëzojnë pension për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të cilat ndërmarrin nisma vetëpunësimi prej të cilave punësohen dhe sigurojnë mirëqenien familjare dhe/apo të të ardhurave për përmbushjen e nevojave bazike. Thirrja e dytë për aplikime është e hapur deri më 4 shtator 2024.