Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar nga radhët e Partisë Konservatore, njëherësh i dërguari për Tregti i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers, që po shoqërohej nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott.
“Falënderues për vizitën pikërisht në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për ndihmën dhe kontributin e Mbretërisë së Bashkuar për çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e Kosovës. Ai e njoftoi z. Vickers për zhvillimet aktuale politike në vend dhe për punën e Qeverisë, që në muajin e ardhshëm shënon 2-vjetorin e formimit. Vëmendje e veçantë iu dha mjedisit të të bërit biznes, rolit të funksionalizimit të Gjykatës Komerciale në atë drejtim, dhe ofertës së Kosovës për investime të huaja nga investitorë dhe kompani nga Mbretëria e Bashkuar. U diskutua edhe për potencialin e Kosovës në energjinë e ripërtëritshme dhe potencialin e investimeve në këtë sektor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.