Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar pritje për artistët pjesëmarrës të bienales nomade “Manifesta 14 Prishtina”, që ka filluar dje në Prishtinë.
Kryeministri i falënderoi artistët për pjesëmarrjen dhe kontributin në Manifesta, e cila për 100 ditë do të jetë aktive, përditë, në 25 vende të ekspozimit të veprave artistike të 103 artistëve nga 30 shtete.
Në veçanti, kryeministri falënderoi Hedwig Fijen, e cila si udhëheqëse dhe organizatore ka punuar shumë për atë që do të përjetojmë ne gjatë këtyre 100 ditëve.
“Kanë mbetur edhe 99 ditë, pra po i numërojmë teposhtë, në njërën anë gëzohemi që po kemi kaq shumë ditë përpara, por në tjetrën anë hidhërohemi me çdo ditë që na shkon sepse çdo ditë është e papërsëritshme për përvojat dhe për ndjesitë që ne i fitojmë nga Manifesta”, tha kryeministri.
Mirëdita të gjithëve,
Faleminderit shumë për ardhjen në këtë pritje, në kuadër të Manifestas, e cila për 100 ditë do të jetë aktive, përditë në 25 vende të ekspozimit të veprave artistike të artistëve nga 30 shtete, gjithsej 103 prej tyre, duke e ndryshuar kryeqytetin e Republikës sonë dhe duke e na zbuluar sigurisht edhe më të mire, edhe më të bukur atë.
Mirëpo, nuk mund të thuhet më që jemi aq të sigurt se kush janë nikoqirët e kush janë mysafirët. Kufiri është duke u zbehur me shpejtësi meqenëse teksa ne presim artistë nga jashtë vendit, në të njëjtën kohë edhe mirëpritemi në Manifesta e cila paraqet një ngjarje të jashtëzakonshme kulturore dhe artistike që filloi në një mbrëmje të mrekullueshme dje.
Në veçanti dua ta falënderoj zonjën Fijen, e cila si udhëheqëse dhe organizatore ka punuar shumë për atë që do të përjetojmë ne gjatë këtyre 100 ditëve. Kanë mbetur edhe 99 ditë, pra po i numërojmë teposhtë, në njërën anë gëzohemi që po kemi kaq shumë ditë përpara, por në tjetrën anë hidhërohemi me çdo ditë që na shkon sepse çdo ditë është e papërsëritshme për përvojat dhe për ndjesitë që ne i fitojmë nga Manifesta.
Më vjen keq që është kaq nxehtë, është kaq vapë, por nuk e ka fajin vetëm moti, e kemi fajin edhe ne vetë, të cilët jemi bërë kaq shumë bashkë në një vend i cili duket se ka qenë i vogël për këtë rast.
Faleminderit shumë nga zemra për kontributin e deritanishëm dhe për angazhimin që po e bëni për njëri-tjetrin, për të shprehur veten dhe për shoqërinë e komunitetin në përgjithësi.