Kurti takohet me Peach: Liderët serbë mund të ri-eskalojnë situatën, nevojitet vigjilencë
Lexohet për: 2 min.
B4A2E682-BBF2-4B06-8469-2D6168875F0C
1 vit më parë
Linku u kopjua

Takimin e radhës përgjatë Forumit të Bledit për Siguri, Kryeministri Albin Kurti e zhvilloi me të Dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se ata diskutuan për bashkëpunimin rajonal, çështjet aktuale dhe situatën aktuale në katër komunat në veri të vendit, me ç’rast, Kurti ka thënë se duhet vigjilencë ndaj ri-eskalimit që mund të vijë nga deklaratat e liderëve shtetërorë serbë.

Kurti e njoftoi atë mbi mbarëvajtjen e zbatimit të marrëveshjes së Bratisllavës ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me de-eskalimin e plotë të situatës në veri të vendit.

Bëhet e ditur se Kurti ka thënë se kanë kaluar dy muaj prej incidentit të fundit në këto katër komuna, dhe prej atëherë nuk ka pasur protesta të dhunshme, është shtuar numri i punëtorëve në ndërtesat komunale e është ulur proporcionalisht prezenca e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale.

“Kemi një situatë të de-eskaluar kjo falë bashkëpunimit të qytetarëve nga komuniteti serb dhe veprimeve nga institucionet e Republikës së Kosovës. E rëndësishme është tani të jemi vigjlent ndaj ri-eskalimit që mund të vijë nga deklaratat dhe veprimet e liderëve shtetërorë serbë”, ka thënë Kurti.

Ky ishte takimi i pestë i kryeministrit Kurti me Lord Peach këtë vit. Kryeministri Kurti e falënderoi Lord Peach për rolin dhe mbështetjen aktive të Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024