Takimin e radhës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, këtë herë së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e zhvilloi me deputeten finlandeze dhe Kryetaren e Grupit të Miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Finlandës, Tytti Tuppurainen.
Kurti uroi deputeten Tuppurainen për anëtarësimin e Finlandës në NATO. Ai tha se Republika e Kosovës e konsideron NATO-n si ombrellën më të rëndësishme të sigurisë sot për demokracitë tona. Andaj, edhe synim i Republikës së Kosovës është anëtarësimi i plotë në NATO, kurse anëtarësimin në programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, e sheh si hapin themeltar në atë drejtim, u shpreh kryeministri Kurti.
Në takim, gjithashtu u fol edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti pranoi urimet nga deputetja finlandeze Tuppurainen me rastin e 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe përgëzime për progresin e arritur viteve të fundit të evidentuar edhe nga indekset ndërkombëtare.