Kurti: Sulmet në veri kishin për qëllim të vrasin, do të ketë zero tolerancë ndaj strukturave ilegale serbe
Lexohet për: 4 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar sot sërish sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.

Kryeministri Kurti theksoi se këto sulme në veri të Kosovës ishin terroriste dhe sipas tij për qëllim kishin të vrasin.

“Është ministria e Punëve të Brendshme, policia e Kosovës e cila i bën analizat dhe studimet edhe të shkaqeve të rrethanave të këtyre sulmeve mbi pjesëtarët tonë të policisë. Ne kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist. Meqenëse me plumba, me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë, të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale. Pra ju takon organeve të rendit dhe të bëjnë hetimet mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por në anën tjetër edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çka duhet të ndërmarrim në vijim në mënyrë që të pamundësojmë sulmet e këtilla. Pra, nuk janë sulme mbi të mirat materiale, nuk janë sulme as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët dhe sulmet të cilat kanë pasur për qëllim të vrasin. Mirëpo, fatmirësisht nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe as një pjesëtar i policisë nuk është lënduar”, theksoi Kurti.

Këto komente kryeministri i bëri gjatë homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë.

Derisa sa i përket sa i përket strukturave ilegale serbe dhe krimit të organizuar në veri, Kurti tha se nuk do të ketë fare tolerancë nga ekzekutivi dhe shteti i Kosovës.

“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga qeveria e Kosovës, nga shteti I Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga policia e Kosovës”, theksoi ai.

Kryeministri i vendit është nga gazetarët edhe për deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq lidhur me ardhjen e një aeroplani i Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Për këtë, Kurti tha se deklarata që vijnë nga Beogradi nuk bënë të merren si fakte.

“Deklaratat të cilat vijnë nga Beogradi nuk bën kurrsesi që t’i merrni si fakte, këtë na e mëson edhe e kaluara jonë edhe e tashmja jonë. Natyrisht që ne e kemi shtuar shumë buxhetin për të mbrojtjen e Kosovës. Është rritur për 52 përqind buxheti në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021, mirëpo për të gjitha hapat e mëtutjeshëm që ne ndërmarrim duhet t’i merrni informacionet vetëm nga Ministria e Mbrojtjes, nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Dhe nga ministri Mehaj, nga komandanti Jashari, nga qeveria e Kosovës e kurrsesi nga Beogradi. Nuk ka nevojë që ata t’iu gënjejnë edhe më shumë e që ta kuptoni që s’duhet t’iu besoni më asnjë herë”, tha ai.

Kurti foli edhe për marrëveshjen e për targat, i cili tha se më 21 prill është afati i fundit dhe shtoi se parimi i reciprocitetit është si thelb i çfarë do zgjidhje të ardhshme.

“Me datën 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merreshin vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty. Ndërkaq, për aspektet teknike e kemi Grupin tonë Teknik i cili merr pjesë atje si dhe kryenegociatorin, i cili po bisedon se si ta gjejmë një zgjidhje. Ajo që e di që është e pa diskutueshme dhe e pa negociushme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarë do zgjidhje të ardhshme”, theksoi Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024