Kurti: Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti: Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve
03/07/2026 - 12:44
Linku u kopjua
Siguria ushqimore është jetike për shëndetin e qytetarëve, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të premten, një ditë pas mbylljes së qumështores VIta, të cilës iu vu dryni nga pronarët, ditën kur te kjo fabrikë zbritën inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari për të inspektuar, siç thanë, standardet e sigurisë ushqimore.
Shefi në detyrë i qeverisë deklaroi se është e domosdoshme që të bëhen sa më shumë analiza të ushqimeve të cilat u servohen qytetarëve të Kosovës.
Ai i bëri këto komente pas ngjarjes ku u shpallën 556 përfituesit e Skemës së Granteve për Investime – LOT 1, në kuadër të projektit “Mbështetje për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Bujqësisë në Zonat Rurale përmes Diversifikimit të Aktiviteteve”, i cili zbatohet në bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Gjermane përmes GIZ-it.
Duke folur për grantet në këtë ngjarje, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, tha se ato do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit dhe zhvillimin ekonomik të zonave rurale.
Ndërkaq, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se procesi i ndarjes së këtyre granteve ka qenë transparent dhe konkurrues.
Qumështorja “Vita” në Istog u mbyll, të enjten, pas vendimit të marrë nga vetë kompania, si pasojë e kontrolleve zyrtare që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) zhvilloi në këtë kompani.