Kurti: Shpresoj të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike
Lexohet për: 4 min.
Kurti
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për takimin e 14 shtatorit që pritet ta zhvillojë me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Në prag të këtij takimi, ai ka thënë se po bëhen gjashtë muaj prej pranimit të aneksit të marrëveshjes në Ohër dhe nuk ka zbatim të saj.

Në një intervistë për DW, Kurti ka treguar se çfarë pret nga takimi i së enjtes.

“Shpresojë që do të kthehemi në binarët e zbatimit të marrëveshjes bazike dhe kjo nënkupton një plan të sekuencuar të zbatimit të marrëveshjes. Gjashtë fjalitë e para të preambulës, 11 nenet dhe 12 pikat e aneksit të zbatimit nga Brukseli e nga Ohri do të duhej që të zbatoheshin sa më parë në plotni. Dhe çdo herë kur ka shkelje të marrëveshjes, referet Borrel dhe Lajçak, do të duhej të vërshëllenin për shkeljen që u bë, e jo sikurse me datë 24 prill kur Serbia në Këshillin e Evropës votoi kundër anëtarësimit të Kosovës dhe ndonëse kjo ishte shkelje e nenit 4 të marrëveshjes që kemi bërë, nga Brukseli nuk u dëgjua kurrfarë zëri as pëshpërimë, e jo më vërshëllime”.

“Javën e ardhshme bëhen gjashtë muaj prej se zëvendëspresidentin i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell në Ohër të Maqedonisë së Veriut, tha se ‘We have a deal', pra kemi marrëveshje, sepse u pranua edhe aneksi i zbatimit. Andaj edhe gjashtë muaj nuk janë pak, dhe ja ku jemi sot, në prag të takimit të 14 shtatorit dhe nuk kemi zbatim të marrëveshjes”, ka shtuar Kurti.

E derisa ka folur për situatën në veri të vendit, shefi i ekzekutivit ka thënë se deeskalimi praktikisht ka ndodhur.

“Sa i përket situatës në veri të Kosovës, ne kemi thënë që angazhohemi për deeskalim dhe më duhet të konstatoj që deeskalimi praktikisht ka ndodhur. Në duhet të mos kemi rieskalim, veçse rieskalimi potencial i ka rrënjët veçse në Beograd dhe kurrsesi në Prishtinë. Besoj që i është bërë e padrejtë Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se nuk mund të pranojë kërkesa të etnonacionalizmit territorial.

“Unë jam kryeministër i të gjithëve i dëgjoj të drejtat që i kërkojnë, nevojat që i kanë, mirëpo nuk mund të pranojë kërkesa të etnonacionalizmit territorial. Unë ju kam thënë edhe presidentit Vuçiq, edhe ndërmjetësve evropian që unë nuk pranojë kërkesa jo territoriale, kërkesa për të drejtat e qytetarëve e jo për struktura të reja të cilat dëshirojnë të kenë fuqi ekzekutive dhe një president si lloji i Dodikut në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndër të tjera Kurti ka folur edhe për masat ndëshkuese të BE-së.

“Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t'i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese  e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat. Tavolina në Bruksel në këtë mënyrë është dëmtuar dhe dialogu është dëmtuar me këto masa dhe unë besojë që sa më parë që të hiqen ato është mirë edhe për Bashkimin Evropian  që prezanton vlera edhe për Kosovën që ka nevojë për zhvillim”, ka thënë ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024