Kurti sërish e fajëson opozitën: Qytetarët do të nxjerrin përfundimet e tyre
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka uruar 1 Majin, duke fajësuar opozitën që nuk votojë pakon për përbajen e inflacionit, por e ka fajësuar edhe për siç ka shkruar ai bojkotin për zgjedhjen e presidentit duke e dërguar vendin në zgjedhje.
Kurti derisa ka uruar të gjithë punëtorët, ka shtuar se ka sipas raporteve ndërkombëtare të sindikatave, të drejtat e punëtorëve janë goditur ndjeshëm në mbarë botën gjatë vitit 2025 dhe se ky është realiteti global ku nuk mund të bëjë përjashtim as Kosova.
“Në këtë kontekst jetojnë dhe punojnë punëtorët tanë, dhe në këtë dritë duhen kuptuar edhe vendimet tona në qeveri. Kur ne morën detyrën, paga minimale në Kosovë ishte 170 euro. Nuk kishte ndryshuar për trembëdhjetë vite. Për një brez të tërë që hynte në tregun e punës, ky ishte minimumi ligjor për punën e tyre. Ne e ndryshuam këtë. Miratuam Ligjin për Pagën Minimale dhe e ngritëm atë në 425 euro, duke ndikuar drejtpërdrejt rreth 150.000 punëtorë, shumica në sektorin privat. Nga 1 korriku ajo rritet në 500 euro (pavarësisht asaj që ndodhi me Kuvendin).Vendosëm pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti njohu në mënyrë konkrete kontributin e vazhdueshëm të punonjësve të tij. I bëmë e vazhdojmë t’i bëjmë thirrje edhe sektorit privat të ndjekë këtë shembull, sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik. Filluam dhe zgjeruam programin Superpuna, që subvencionon pagat në sektorin privat për gjashtë muaj dhe krijon një rrugë të strukturuar për të rinjtë drejt tregut formal të punës. Punësuam mbi 23 mijë të rinj dhe të reja të moshave nga 18 deri në 29 vjeç me ç’rast kanë përfituar rreth 10.500 biznese. Për herë të parë me ne në qeverisje filluan të ndahen shtesat për fëmijë dhe shtesat për nënat lehona. Pensionet i rritëm nga nga 90 euro në 150 euro. Përmes programit “Qeveria për Familjet”, subvencionum 70% të pagave për gjashtë muaj për familjet pa asnjë të punësuar, duke përfshirë kësisoj rreth 4,000 familje. Gjithashtu, kemi mbështetur punësimin e mbi 12.000 grave përmes politikave dhe subvencioneve direkte shtetërore. Në vijim kemi programin “Superpuna për Gra” që do të ndihmojë edhe më shumë për rritjen e punësimit të grave. Vetëm gjatë tre vjet e gjysmë të qeverisjes sonë, numri i të punësuarve është rritur ndjeshëm. E kemi gjetur Kosovën me rreth 350,000 të punësuar, ndërsa sot janë rreth 435,000 një rritje prej rreth 85,000 vende pune.
Miratuam projektligjin për sigurimet shëndetësore. Për herë të parë në Kosovë, ky ligj krijon një kornizë universale që mbulon si të punësuarit ashtu edhe të papunët, përmes kontributeve individuale dhe shtetërore. E drejta për shëndetësi nuk mund të varet nga statusi i punësimit.
Propozuam një paketë prej 200 milionë eurosh për përballjen me inflacionit, që ofronte mbështetje të synuar për sektorin privat, studentët, fëmijët dhe familjet që ballafaqohen me rritjen e kostos së jetesës. Kjo paketë u bllokua në Kuvend nga një opozitë që zgjodhi të mos votojë. E njëjta opozitë që bojkotoi zgjedhjen e presidentit duke e dërguar vendin në zgjedhje. Votat janë të regjistruara. Qytetarët do të nxjerrin përfundimet e tyre”, ka shkruar ai.
Sipas tij, për të drejtat e punëtorëve në Republikën e Kosovës, mungesa kryesore është ajo e organizimit sindikal në sektorin privat.
/Kosovapress/