Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë presion Serbisë që të dorëzojë terroristët që kanë ikur pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Në një intervistë për një medium boshnjak, Hayat TV, Kurti ka përsëritur se shteti serb qëndron prapa këtij sulmi, dhe për këtë siç ka thënë ai, veç tjerash, dëshmon edhe fakti që Serbia ka shpallur ditë zie për vdekjen e tre terroristëve.
“Kjo do të thotë se pas tyre qëndron Serbia dhe mbi ta, Beogradi zyrtar ka dhënë urdhrin për të sulmuar Kosovën, por mendoj se tani e kanë kuptuar se organizatat dhe bandat e tilla terroriste nuk kanë asnjë shans me policinë tonë. Mos harroni se këta nuk janë banda kontrabandistësh, as qytetarë të thjeshtë që kanë rrokur armët, janë forca paramilitare profesionale, kush e di ku kanë luftuar më parë, dhe tani kanë ardhur të luftojnë në Kosovë”, ka thënë ai.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se terroristët, të gjithë ata që ishin në Banjskë kishin nënshtetësi serbe.
Ai tha se presin nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion bi Serbinë në mënyrë që terroristët t’i dorëzojë para autoriteteve të Kosovës.
I pyetur nëse Rusia mund të jetë e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit ku mbet i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, Kurti tha se edhe mund të ndodhë. Kjo pasi siç tha ai, një ditë pas sulmit, Vuçiq u takua pikërisht me ambasadorin rus në Beograd.
Në fund, Kurti ka përsëritur se reaguesja e parë në Kosovë ëhstë Policia e Kosovës, pastaj EULEX-i e më pas KFOR-i. Sipas tij, kjo formulë nuk duhet ndryshuar.