Progresi në një vit qeverisje, reformat e nisura në drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe ruajtja e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon, thuhet se u diskutuan në takimin që kryeministri Albin Kurti pati me kongresisten amerikane Carolyn Maloney, njëherësh kryesuese e Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reforma.
Kurti, sipas komunikatës qeveritare, citohet të ketë thënë se përmirësimi i indikatorëve të demokracisë në njërën anë dhe qeverisja e mirë e luftimi i krimit dhe korrupsionit në anën tjetër, janë themeli i një rritje të qëndrueshme ekonomike që i duhet vendit.
Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri ritheksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.
Qeveria e Kosovës angazhohet dhe është e vendosur që kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara, tha kryeministri Kurti.
Kryeministri tha se qasja e Serbisë te fondet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të kushtëzohet me dënimin e plotë të invazionit rus dhe sanksionimin e luftës ilegale të Rusisë në Ukrainë.
Kongresistja Maloney e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës, që u rreshtuan përkrah ShBA-së dhe BE-së lidhur me invazionin rus në Ukrainë dhe për ndihmën e ofruar refugjatëve afganë.