Kurti priti përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar: Synojmë të ofrojmë mundësi të barabarta
Lexohet për: 3 min.
ZKM - 1 12 2022 (1)
2 vite më parë
Linku u kopjua

“Synimi i Qeverisë së Kosovës është të ofroj mundësi të barabarta për të gjithë, si parakusht për dinjitetin njerëzor dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri”, kështu tha sot Kryeministri Albin Kurti, në takimin me përfaqësuesit e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, organizatë ombrellë e organizatave të personave me aftësi të kufizuar.

Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për mbrojtjen dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, e në veçanti respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Ndërsa, përfaqësuesit e organizatave, siç informoi zyra e Kryeministrit, u shprehën mirënjohës për bashkëpunimin me institucionet dhe angazhimin e Kurtit për ngritje të mirëqenies për personat me aftësi të kufizuar.

“Duke biseduar për veprimet e ndërmarra nga Qeveria gjatë vitit 2022 si Vit i Personave me Aftësi të Kufizuar, u veçua Masa 1.6. – Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta, krijimi i Sintezës Vokale në Gjuhën Shqipe, qasja në dokumente në shkrimin Braille brenda Zyrës së Kryeministrit për personat e verbër, mbështetja e dhënë për programet trajnuese për sportistë për Komitetin Paralimpik të Kosovës si dhe Federatën e Sportit për të Verbër.”, u bë e ditur në komunikatë.

Për përmirësimin e edukimit për fëmijët, siç u potencua, u veçua punësimi i rreth 100 asistentëve në shkolla në të gjithë vendin për fëmijët me nevoja të veçanta gjatë këtij viti, si dhe ndarja e buxhetit nga Qeveria për vitin 2023 për 500 fëmijë me nevoja të veçanta.

“U theksua angazhimi për infrastrukturë ligjore të përshtatshme, duke veçuar inicimin e procesit të amandamentimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës për përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, puna në hartimin e Projektligjit për Vlerësimin, Njohjen e Statusit, Përfitimet dhe Shërbimet për Personat me Aftësi të Kufizuar, si dhe Udhëzimi Administrativ i miratuar nga Qeveria për caktimin e Listës, Llojeve dhe Pajisjeve Ndihmesë që ofrohen falas për Personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, që shërbejnë për Lëvizje, Parandalim dhe Asistim.”, u bë e ditur tutje në komunikatë.

Vazhdimi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe organizatave, për rritjen e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara u ritheksua në këtë takim të përbashkët me Kryetarin e Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, Drejtorin Ekzekutiv të Shoqatës Kosovare të të Shurdhërve, Enver Kurtalani dhe Drejtoreshën Ekzekutive të Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini Beqiri.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024