Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetët opozitarë gjatë debatit parlamentar për grevat.
Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK kritikuan kreun qeveritar për qasjen e tij karshi grevistëve.
“Një Albin Kurti që e pash shumë pedant, zyrtar, i cili s’ka lanë asnjë zyrtar grevist, sindikalist, politikan pa fyer dhe denigruar, pa lagur me ujë dhe gjuajtur gaz lotsjellës e gjithçka tjetër. Shumë m’u ke bërë zyrtar me sindikatat, lëshohu pak në të kaluarën tënde”, tha ai.
Atij iu kundërpërgjigj kryeministri Kurti, i cili tha se arsyeja pse s’ka nevojë tani të jetë radikal nuk është se është bërë kryeministër, por nuk është më tema e “zajedinicës”.
Kritike u shfaq edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila i kërkoi Kurtit të gjej zgjidhje dhe jo të frikësojë popullin me përmendjen e luftës.
“Ne e dimë që për fjalime je vërtet ekselent dhe nuk ta kalon askush. Tash je kryeministër dhe duhet të merresh me punë konkrete. Me qenë kryeministër nuk më kish zënë gjumi duke menduar se çka je duke iu bërë shkollave shqipe... kryeministër gjej zgjidhje, në vend se të frikësosh popullin me deklaratat të tua se do të ketë luftë në Ballkan dhe vëmendja të shpërqendrohet nga greva”, tha ajo.
“S’kam thënë që do të ketë luftë, por kam thënë që mund të ketë luftë. Vetëm një moment, unë kam thënë mund të ketë luftë. Por nga ana tjetër, është papërgjegjësi që unë si kryeministër, kur i ke 48 baza ofanzive rrotull Kosovës me thanë që nuk do të ketë kurrë luftë. Është gabim, e dyta kur them unë që mund të ketë luftë, ju lutem ndjekeni atë intervistë deri në fund, pasi ajo është akuzë ndaj Serbisë. S’ka çka ju pengon juve akuza ndaj Serbisë”, nënvizoi Kurti.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami u shpreh e shqetësuar me qëndrimet e kryeministrit Kurti sa i përket grevës.