Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik të Vjenës sot në Sofje të Bullgarisë. Ai me këtë rast theksoi partneritetin dhe miqësinë me Bullgarinë, si dhe ndërmjet të gjitha vendeve anëtare të forumit. Si mbështetës i këtij forumi, kryeministri tha se e njohin kontributin e rëndësishëm që ky organizim ka në bashkëpunimin rajonal, që shtrihet nga Adriatiku e deri në Detin e Zi.
"Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal na ndihmojnë të gjithëve dhe çojnë në integrim më të madh ekonomik dhe prosperitet për rajonin tonë", tha ai ndër të tjerash. Duke nënvizuar dhe progresin e vendit tonë në vitet e fundit, në indekset ndërkombëtare e në sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, liri të mediave e demokracinë, kryeministri shprehu dhe se Kosova riafirmon dedikimin për objektivat e këtij forumi, si promovimi në nivel rajonal i bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe rritjes.