Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se marrëveshja e mbrëmshme për targat, është arritje e madhe meqë për herë të parë procesi i dialogut hyn në fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme. Ani pse e ka quajtur dakordim, Kurti theksoi se dokumenti i mbrëmshëm dallon me atë se çfarë i është ofruar të hënën atij në Bruksel. Në fjalimin e tij në seancë plenare, ka deklaruar se ka ndryshuar deklarata e Borrelit, e jo qëndrimet e Kosovës. Sipas shefit të ekzekutivit, marrëveshja për targat është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman.
Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka deklaruar se qëllimi ishte që drafti franko-gjerman të bëhet pjesë e bisedimeve në Bruksel.
Kurti ka shtuar se marrëveshja e mbrëmshme për targat është arritje e madhe për Kosovën.
“Besoj që kjo është një arritje e madhe, sepse për herë të parë procesi i dialogut hyn në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do të jetë ligjërisht e obligueshme e që do të zgjidh problemet fundamentale nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar ai.
“Të hënën në mbrëmje mua më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët, i cili ka pasur 95 fjalë. Dhe fjalët Francë e Gjermani nuk kanë qenë askund. Dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman apo të Bashkimit Evropian, siç po themi tani, përveç çështjes së targave tek çështja e këtij propozimi. Nuk thuhet propozimi, por thuhet do të zgjidhet çështja e targave sipas atij propozimi pa thënë franko-gjerman, 95 fjalë. Ndërkaq, kjo që është dakorduar mbrëmë i ka 194 fjalë është më shumë se dyfishi i tekstit. Janë krejtësisht të ndryshme, ata që thonë që ajo çfarë nuk është pranuar të hënën është pranuar të mërkurën, nuk e dinë se për çka po flasin”, ka theksuar shefi i ekzekutivit në seancë plenare.
Kurti ka insistuar se mbrëmë në Bruksel nuk është arritur marrëveshje, por dakordim për ëështjen e targave.
Në seancë plenare, Kurti ka deklaruar dakordimi i mbrëshëm skadon kur të arrihet negocimi i dokumentit franko-gjerman.
“Tjetra është që pjesa e targave në marrëveshjen e mbrëmshme nënkupton që Qeveria nuk lëshon dhe regjistron targa të reja. Ajo është e qartë në tekst dhe gradualisht targat e paligjshme do të nxjerin nga përdorimi sipas një mekanizmi të tillë. Ne arritëm të zbatojmë parimin e reciprocitetit në atë seksion të marrëveshjes që u bë deklaratë e Borrelit, por theksojmë që ajo është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman, kur të kryhet ky negocim atëherë skadon edhe afati i këtij dakordimi”, tha Kurti.
“Me datën 11 nëntor kur e kam takuar në Paris, zotëri Borrel dhe Lajçak me ekipin tim të këshilltarëve kur isha atje, unë kur thash propozimi franko-gjerman, ai reagoi bukër ashpër dhe tha ky është propozim evropian. Unë thash në rregull, i kërkova falje, tash e tutje thash do ta quajmë evropian me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë. Mirëpo, unë të hënën e pash se në fakt është franko-gjerman se po të ishte propozimi i BE-së, ai nuk do ta braktiste kaq kollaj. Mua të hënën mu vërtetua që në fakt është franko-gjerman. Mirëpo, meqë insistohet të quhet i Bashkimit Evropian, nuk kam problem me atë punë”, ka shtuar Kurti.
Sipas tij, dialologu duhet të fillojë me shpejtësi e brenda disa ditëve.
Pas arritjes së marrëveshjes për targat, Kurti ka folur edhe për serbët e dorëhequr nga institucionet publike. Ai ka thënë se u ka bërë thirrje të njëjtëve që të mos veprojnë në këtë mënyrë, por që nuk mund të kërkojë nga ta të kthehen.
“Unë ju kam bërë thirrje të gjithë serbëve që janë në institucione ‘mos i braktisni, mos jepni dorëheqje, mos shkoni’. Por, nuk ju kam thënë kthehuni, nuk kam të drejtë të ju them kthehuni. Unë kam të drejtë politikisht të ju them mos shkoni. Por nuk kam të drejtë të ju them kthehuni, shkuarja e tyre është akt individual politik. Kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese, institucionale”, tha Kurti.
“10 serbë të Kosovë që udhëheqin organizata të ndryshme i kam takuar dje, por duhet ta kuptoni një gjë nuk duan fotografi prej takimit. Po ndodh dialogu me serbët lokal, unë nuk mund t’i mbrojë ende ata. Mua më vjen shumë keq që gjashtë vetura të serbëve janë djegur dhe unë nuk kam arritur t’i mbrojë. Edhe serbët kur vijnë në takim me mua, ata nuk duan që të bëjnë fotografi. 1 orë e gjysmë kemi diskutuar, por nuk duan të bëjnë fotografi sepse ju hakmerren. Rasti më eklantant ka qenë i ish-këshilltarit tim tek Kurti 1 që dha dorëheqje dy orë pas emërimit. Pra, duhet ta bëjmë dialogun, por nuk duhet ta publikojmë si të tillë këtë dialog”, ka përfunduar ai.
Ai ka theksuar se trashëgimia e marrëveshjeve të qeverive të kaluara është shndërruar në pozicion zyrtar të BE-së. Sipas tij, ndryshimi i tyre merr kohë dhe duhet të bëhet në kuadër të një plani më të madh, me atë të planit franko-gjerman. /Sh.Pajaziti