Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se nesër në mëngjes do të udhëtoj për në Bruksel, për të parë se në çfarë gjendje ndodhet Kosova në kuadër të dialogut me Serbinë.
Pas konferencës ndërkombëtare të rinisë për Vetëvendosje “Western Balkans Six – Youth for Social Democracy”, Kurti ka theksuar se marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar me pjesën integrale, aneksin e zbatimit nga Oher i 18 marsit e bënë normalizimin e raporteve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, me njohje de-fakto.
Kreu i ekzekutivit ka nënvizuar se dje janë bërë nëntë muaj prej që është vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku, dhe siç tha ai nëntë muaj prej që “kryekrimineli i paramilitarëve terrorist, Milan Radjoçiq ndodhet në liri”.
Ai shtoi se vazhdimisht ka pasur eskalime e deeskalime e që të gjitha këto e kanë adresën në Beograd.
Tutje, Kurti u bëri thirrje vendeve të BE-së ta dëgjojnë Josep Borrellin, sepse “e kanë shef të politikës së jashtme”.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të takohen të mërkurën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.