?Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për tërheqje nga dialogu mund ta kenë trembur dikë në Bruksel.
Gjithashtu, shefi i ekzekutivit u shpreh se Lajçak ka qenë i njoftuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me reciprocitetin për letërnjoftime dhe regjistrim të veturave me targa të vjetra.
“Ky nuk është ndonjë zhvillim i papritur, ose tërësisht i rim meqenëse targat e automjeteve të cilat e kanë denominimin tyre qysh nga koha e pasluftës, pra trashëgimi e strukturave të Millosheviqit, regjimi i tij nuk do të mund të vazhdojë në Kosovë pafundësisht. Ne në mënyrë shumë gjeneroze kemi krijuar një hapësirë dymujore për ta bërë një konvertim të tillë i cili i ndihmon ligjshmërisë dhe rregullsisë tek ne. Edhe zotëri Lajçak vazhdimisht ka qenë dhe është i njoftuar me veprimet tona. E di që ekziston një plan për takime në muajin korrik edhe të kryenegociatorëve, ndoshta edhe më shumë se aq, veçse ta shohim se si e sa do të mund të përgatiten në Bruksel për këtë. Ne jemi të gatshëm, jemi të interesuar për marrëveshje ligjërisht të obligueshme, të qëndrueshme, me njohjen reciproke në qendër. Por, problemi mbase ekziston tek paralajmërimet nga Beogradi se ata do të dalin nga procesi i dialogut, pra janë ata të cilët kanë deklaruar se do të dalin nga procesi i dialogut mendoj se po bëjnë gabim, por kjo ndoshta mund ta ketë trembur pak dikë në Bruksel”, theksoi ai.
Kurti u shpreh se janë të interesuar për të nënshkruar edhe një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, po tha se nuk varet vetëm nga pala kosovare.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, është në qendër të kritikave për shkak të disa postimeve të mëhershme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mirëpo, Kurti nuk deshi të komentojë asnjë prej qëndrimeve të Muratit duke thënë se nuk është komentues, dhe se ajo çka shkruajnë komentuesit për komentet e para shumë viteve nuk janë prioritet për të.
Këto komente kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i bëri pas një takimi që temë diskutimi ishte “Kosova si shoqëri shumëgjuhëshe”.