Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga opozita, që me aq zell sa i thonë atij që mos ta pranojë marrëveshjen me Serbinë pa njohje reciproke, t’ia thonë këto fjalë edhe përfaqësuesit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, iu drejtua dy liderëve opozitarë, Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut, që kur të kenë takim me përfaqësuesin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të paramendojnë atë dhe të thonë se duhet të ketë marrëveshje finale, njohje reciproke dhe asgjë më pak.
Por atij i reagoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i kërkoi Kurtit të marrë transkriptet nga takimet e tij me përfaqësuesit e ShBA-së.
“Për dallim prej teje që në Twiter bëhesh pulë dhe në Facebook bëhesh skifter, lypi trasnkriptet në State Department dhe shiko a i kam thënë Esobarit pak më rëndë se ty. Ti je mësu me fol këtu, tjetër sen atje”, tha ai.
“Kryesia e LDK-së, kanë mbajtur mbledhje dhe kanë qëndrim të qartë dhe publik. Marrëveshja duhet të jetë finale, ligjërisht obliguese dhe duhet të ketë njohje në të. Ky është qëndrimi i LDK-së, mos shpif dhe mos sjell debatin ën çështje personale. S’kemi nevojë që as para Chollet dhe as para Escobarit të japim ndryshe. Janë qëndrime publike dhe nuk i fshehim. Janë qëndrime publike nuk i fshehim, është gabim edhe qëndrimi yt, por edhe zotëri Haradinaj që të flitet për një marrëveshje bazë”, shtoi Abdixhiku.
Atyre sërish iu replikoi Kurti, i cili tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zajednicë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.