Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se Lista Serbe është e angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenim të rendit kushtetues, ka thënë kabineti i Presidencës.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje se, kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si "Kosova dhe Metohia".
Sipas kabinetit të saj, Osmani beson se KQZ-ja duhet të vendosë në mënyrë të pavarur.
“Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional”, është cituar të ketë thënë Osmani për REL.Sipas kryetarit të kësaj partie – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – Zllatan Ellek, vendimi për moscertifkim është absurd, antiserb dhe jodemokratik dhe është bërë me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.