Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me liderët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, tha se brenda pak ditëve do të shpallë datën e zgjedhjeve të rregullta. Në një konferencë për media, pas takimit, Osmani tha se datat për zgjedhje në bazë të ligjit janë mes 26 janarit, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurt 2025.
Sipas Vjosa Osmanit, partitë kishin preferenca të ndryshme brenda këtyre datave.
Osmani, tha se duke qenë se prezentë ishin të gjithë kryetarët e partive politike, nuk ka dashur të thyejnë këtë parim, pavarësisht kërkesës për të qenë prezentë nënkryetari Glauk Konjufca.
“Unë nuk e kam pa që dikush e ka quajtur bojkot, për mospjesëmarrjen e kryetarit të LVV në këtë rast edhe pse siç e dini të gjithë partitë kanë qenë të ftuara në nivel të kryetarëve të partive dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca dhe kryetari i Kuvendit ka shprehur gatishmëri të plotë që të vij sot në takim. Kryetari i LVV nuk ka qenë prezent, ne nuk i dimë arsyet, besoj mund ta pyesni atë drejtpërdrejt, po supozoj që është në zyrë, kështu që mund të shkoni dhe ta pyesni”, ka shtuar Vjosa Osmani.
Vetëvendosje dhe Lista Serbe, nuk morën pjesë në takim.