Pas katër vjet studime diplomoi gjenerata 2023 e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare, duke i shtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe 15 oficerë të rinj. Në ceremoninë e diplomimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se Kosova nuk e forcon ushtrinë për të sulmuar të tjerët, por për të qenë mjaftueshëm e fortë në mbrojtjen e vetvetes.
Kurti u tha oficerëve që Forca është ndërtuar mbi themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që e njëjta në një të ardhme të afërt do të jetë pjesë e NATO-s.
Ndërsa komandant i QSU-së, major Albion Ajvazi, u rikujtoi të diplomuarve përgjegjësinë e madhe që kanë tani e tutje, derisa u shpreh krenar për angazhimin e tyre të deritanishëm.
E në emër të klasës 2023, kadeti Arianit Hoxha, e siguroi komandantin se do të jenë gjithmonë të gatshëm për zbatimin e detyrave.
Në ceremoni padyshim nuk mungoi as ekzekutimi i drillit ceremonial nga garda ceremoniale e kadetëve.
Ndërsa në fund të saj, ushtarakët u betuan para komandantit të QSU-së ndërsa morën edhe diplomat të cilat u ndanë nga kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.