Kurti: Nënën Ferdonije sot nuk ka shqiptar që s’e ka për zemër
Lexohet për: 3 min.
ff
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi sot shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, në përvjetorin e 24-të të rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, ku u prit nga nëna Ferdonije Qerkezi.

Kryeministri e falënderoi nënën Ferdonije për qëndrueshmërinë dhe guximin që po i jep mbarë popullit shqiptar. Ai, siç u bë e ditur në komunikatë, tha se forcat serbe nuk i kanë marrë katër djemtë dhe bashkëshortin e saj sikurse dhe shumë e shumë të tjerë se kanë qenë të familjes Qerkezi, por sepse kanë qenë shqiptarë dhe e kanë dashur vendin e tyre.

“E di që dhembja nuk zvogëlohet, por në të njëjtën kohë ajo të ka mbajtur ty gjatë të fuqishme, dhe një komb të tërë e ka ngritur në solidaritet me familjen Qerkezi, me nënën Ferdonije, që sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër’’, tha ai.

Kryeministri veçoi rëndësinë e hapjes së arkivave nga Serbia, pasi vrasja dhe zhdukjet gjatë luftës kanë qenë pjesë e projektit serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.

Ai tha se Serbia duhet të jetë e hapur për sa më shumë hulumtim dhe hapje të varrezave masive. Por, theksoi se fakti që në varrezat masive të zbuluara në Serbi nuk ka të vendosur asnjë pllakë përkujtimore, është dëshmi që Serbia nuk do që të zbulohet e vërteta.

Nëna Ferdonije e falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën në shtëpi, nga ku më 27 mars 1999 janë rrëmbyer, bashkëshorti i nënës Ferdonije, Halimi me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, dhe Edmondin, nipi i saj Vegim Qerkezi, miku i shtëpisë, Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët, Skender Dylhasi me djalin Myrteza, dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi e Fatosi.

Bashkë me Nënën Ferdonije ishte edhe Nëna Dudije Dylhasi, së cilës forcat serbe ia kanë rrëmbyer djalin Myrteza dhe bashkëshortin Skënderin.

Gjatë vizitës së tij Kryeministri ka shkruar në librin e kujtimeve:“Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë NE, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është Nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë. 24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur te ne të gjithë. E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili.".

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024