Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e kryeministrit temë e diskutimi ishte progresi në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimi rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.
“Kryeministri kujtoi rëndësinë që para samitit të radhës të fillojë zbatimi i marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, që lehtëson lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kryeministri theksoi se më 16 maj në Kotor të Malit të Zi, Kosova kërkoi që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave (AMLA) të Bashkimit Evropian për të rritur integritetin financiar dhe për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit financiar, kërkesë kjo që u bë pjesë e deklaratës së përbashkët të lëshuar në Kotor”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kurti.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se Procesi i Berlinit është platforma ku angazhoheni për bashkëpunim rajonal dhe integrim ekonomik.