Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit ka rritje të kompanive prodhuese, ndërsa rënie të kompanive tregtare. Nga 70 për qind sa ishte pjesëmarrja e kompanive tregtare, tashme kjo shifër është zëvendësuar me kompani prodhuese, pra duke e vendosur prodhimin në qendër. Kështu është bërë e ditur në ceremoninë e hapjes së edicionit të 23-të të Panairit Ndërkombëtarë EXPOKOS, në të cilën është theksuar se bizneset vendase po rriten dhe prodhimi po shtohet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se panairet e tilla janë të rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e vendit. Derisa ka falënderuar mërgatën për kontributin e dhënë për Kosovën, Kurti tha se diaspora janë urë lidhëse për investime direkte dhe për turizmin në Kosovë.Panairi do jetë i hapur edhe të enjten nga ora 10:00 deri në orën 16:00 në sallën 1 tetori në Prishtinë, në të cilën pjesëmarrësit mund të presin prezantime tërheqëse, ekspozita interaktive, dhe mundësi të vlefshme rrjetëzimi. Po ashtu, ky edicion do të vazhdojë të mbulojë sektorët e energjisë, ndërtimit, minierave, makinerisë dhe mbrojtjes dhe sigurisë.
Po ashtu ky panair vlerësohet të jetë ngjarja më e rëndësishme biznesore në regjionin e Ballkanit Perendimor./E.Krasniqi/