Kurti në Londër, merr pjesë në pritjen për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në pritjen zyrtare me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër.

Aty, në një ceremoni solemne, me të ftuar të shumtë nga kori diplomatik, autoritete qeveritare dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare të akredituara në Londër, si dhe bashkatdhetarë tanë, në ambientet e "The Royal Horseguards", kryeministri Kurti pati një fjalë rasti. 

Ai tha se Londra është një vend i shkëlqyeshëm për të festuar pavarësinë e Kosovës, duke qenë kryeqyteti i një vendi mik e partner dhe mbështetës i palëkundur i pavarësisë sonë.

“Në mesin e thirrjeve të fuqishme për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, Mbretëria e Bashkuar ishte njëri ndër zërat më të lartë dhe më të fortë. Në vitin 1999, mbështetja për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë ishte më larta në përqindje në mesin e britanikëve se në çdo vend tjetër të NATO-s”, tha kryeministri Kurti.

Fjalë mirëseardhëse në këtë ceremoni, pati edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Ilir Kapiti i cili foli për rolin e misionit diplomatik të Kosovës në Londër, lidhjet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar si dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Ambasadori i emëruar i Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës, Jonathan Hargreaves.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025