Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nderoi sot martirët dhe të rënët për liri në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit. Ai, së bashku me ministrin Armend Mehaj, kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë bëri homazhe te Memoriali i Martirëve në Korishë dhe zbuloi shtatoren e heroit Sali Shabani.
Me vendosje të luleve dhe një minutë heshtje, kryeministri përkujtoi civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Budakovë, Reshtan, Bllacë, Mushtisht, Maçitevë dhe Greikoc, të vrarë në maj të vitit 1999 me të vetmen arsye se ishin shqiptarë.Ai, siç u bë e ditur në komunikatë, theksoi procesin e filluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për memorializimin e fëmijëve të vrarë, të zhdukur apo që kanë humbur jetën nga kushtet e luftës, në krye të grupit punues të së cilit, është nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e mbijetuar si fëmijë nga masakra e Podujevës.
Duke kujtuar se pothuajse çdo ditë e pranverës nga fundi i marsit e deri në mes të qershorit, paraqet një datë përvjetori të masakrave të kryera nga Serbia në Kosovë, Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, tha se një pjesë e mirë e agjendës së tij si Kryeministër është e rezervuar për ngjarjet përkujtimore sikur kjo e sotmja, “sepse shënimi i përvitshëm i krimeve të kryera nga Serbia mbi ne shqiptarët në Kosovë, kërkon të ketë një traditë të saj të kultivuar që duhet mirëmbajtur, ashtu që të krijohen lidhjet mes gjeneratave dhe të përcjellet vetëdijshëm kujtesa e përbashkët për këto krime”.
Ndryshe, më 13 maj të vitit 1999 është kryer masakra e tmerrshme nga ushtria dhe policia serbe mbi popullatën e kësaj ane dhe fshatrave përreth, duke i ndalur civilët e fshatrave Korishë, Budakovë, Bllacë, Reshtan, Mushtisht dhe Grejkoc, duke vrarë 77 prej tyre./KosovaPress/