Kosova është një histori suksesi, e një vend që e ka ndërtuar veten në një demokraci edhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, ka thënë kryeministri Albin Kurti në panelin e diskutimit "Përputhja e financave me nevojat" organizuar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Në këtë panel diskutimi të mbajtur dje, morën pjesë edhe sekretari i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe David Cameron, ministrja e Ekonomisë dhe Financave e Marokut, Nadia Fettah Alaoui, ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Aide, ish-sekretari për Punë të Jashtme të Britanisë, David Milliband, përfaqësuesi i Bankës Botërore, Juergen Voegele dhe ekonomistja Vera Songwe."Një vend përparon kur progresi ndihet nga qytetarët dhe kjo kombinohet me stabilitetin institucional. Stabiliteti institucional qëndron më lart se stabiliteti politik dhe mundëson përparimin dhe qëndrueshmërinë e një progresi të tillë," tha Kurti, duke potencuar se reformat demokratike të Kosovës janë të dokumentuara edhe në aspektin ndërkombëtar.
Ai veçoi rolin e ndihmës për nxitjen e demokracive duke theksuar gjithashtu rëndësinë e një qeverisjeje demokratike lokale në mënyrë që kjo ndihmë të mbërrijë sa më shumë te qytetarët.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri tha se tri kategori të popullsisë po ndërtojnë progresin në Kosovë gratë, të rinjtë dhe punëtorët.
“Në të tri këto kategori, diaspora është gjithnjë e pranishme edhe me remitancat e së fundmi edhe me investimet e saj në ekonominë tonë," tha Kurti.