Kosova me Forcën e saj të Sigurisë, të trajnuar e orientuar nga perëndimi duhet të bëhet anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s sa më shpejt që është e mundur, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus.
Kurti gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i për ngjarjen e 14 qershorit 2023, kur u rrëmbyen tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri Kurti e falënderoi Goffus për kontributin dhe rolin e domosdoshëm të NATO-s për çlirimin dhe sigurinë e Kosovës..
Zyra e Kreministrit njofton se Kurti informoi Goffus për kornizën kohore të ngjarjeve nga 5 nëntori i vitit të kaluar kur dhanë dorëheqje të organizuar katër kryetarët në komunat në veri të Kosovës, dhe tha se është i angazhuar për de-eskalim dhe normalizim.
Kryeministri tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim dhe bashkërendim të plotë me misionin e NATO-s, KFOR-in, dhe se ndarja e informacionit dhe koordinimi i mirë duhet t’i kontribuojnë si sundimit të ligjit në veri të Kosovës po ashtu edhe përmirësimit të situatës së sigurisë.
Në këtë takim të përbashkët ishin të pranishëm edhe Zëvendës shefi i stafit i operacioneve, Gjeneralmajor Matteë J. Van Ëgenen, Shefja për operacione aktuale të NATO-s, Ariella Viehe, komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, Shefi i kabinetit në Komandën e KFOR-it, Giuseppe Sgueglia, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, këshilltari i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe asistentja e lartë ekzekutive e Kryeministrit, Valë Gjonbalaj.