Në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së komandantit Ilir Konushevci dhe doktorit Hazir Mala, kryeministri Albin Kurti bëri sot homazhe dhe vendosi lule në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë. Duke e kujtuar komandantin Konushevci në 26-vjetorin e rënies, kryeministri Kurti tha se ai kishte një barrë të dyfishtë, pasi në njërën anë duhej ta pasonte udhëheqjen e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe në anën tjetër duhej të sillte armatim nga Shqipëria. “Pushkët e lirisë që mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e Ilirit, andaj edhe kontributi i Ilir Konushevcit është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm”, tha Kurti. Duke e lartësuar figurën e çmuar të komandantit, kryeministri Kurti u shpreh se Ilir Konushevci ishte ndër më të shquarit, teksa e cilësoi si emër i artë në historinë moderne të Kosovës, së bashku me doktor Hazir Malën.